1- Kuptimi gjuhësor i agjërimit
“Esaum” apo “Sijam” – në gjuhën arabe do të thonë: abstenim nga çdo gjë, thuhet “Same nehar” – abstenoi dielli, d.m.th. kur perëndon dielli. Allahu thotë për Merjemen, paqa e Allahut qoftë mbi të:
“Unë jam zotuar në të Gjithëmëshirshmin se do të abstenoj.”[1]
Pra, nga të folurit, këto fjalë Merjemja i ka thënë në kontekstin e të folurit, ky është komentimi i fjalës së Allahut:
“Dhe nuk do ti flas sot asnjë njeriu.”[2]
Poeti En-Abigatu Dhibjani ka thënë:
Qëndron kali i abstenuar apo jo
Në mejdan të luftës vrapon e nuk ndalet
“Sijam” është infinitiv i “Same, jesumu, saumen, sijamen”
2 – Agjërimi në kuptimin e terminologjisë islame: Është thënë për të, se është abstenim nga diçka e caktuar, gjegjësisht abstenim nga të ngrënit, të pirit, si dhe marrëdhënieve intime prej mëngjesit deri në perëndim të diellit, me nijet.
Po ashtu është thënë: Është abstenim prej disa gjërave të caktuara në kohë të caktuara.
Po ashtu është thënë: Abstenim i veçantë në kohë të caktuar, në mënyrë të caktuar, nga gjëra të caktuara.
Është thënë: Abstenim nga ushqimi në mënyrë të caktuar.
Është thënë: Abstenim me nijet nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime në kohë të caktuar, nga persona të caktuar.
Është thënë gjithashtu: Abstenim nga të ngrënit dhe të pirit dhe marrëdhënieve intime në suaza të sheriatit (ligjit islam) gjatë ditës, në mënyrë legjislative.
Përkufizimi më i saktë i agjërimit në aspektin islam është: Adhurim për Allahun, duke u larguar me nijet nga ngrënia, pirja dhe gjërat e tjera, të cilat e prishin agjërimin, nga agimi i dytë (imsak) deri në perëndim të diellit, nga persona të caktuar, me kushte të caktuara.[3]
[1] Merjem, 26.
[2] Po aty
[3] Shiko: Sherh-mumti, Ibn Uthejmini 6/310.
Përktheu dhe përgatiti: Nexhat Ceka
Shkëputur nga libri “Vlera e agjërimit”
Dr. Seid Ibn Alij Ibn Vehf El-Kahtani