Si të motivohemi në Ramazan – 3

Ramazani-86Motivi i tretë
Motivii tretë ka të bëjë me luftimin e sëmundjes së quajtur gaflet/huti/shkujdesje, e cila reflektohet në dy aspekte. Aspekti i parë reflekton mungesën e veprës. Nga gafleti, ti harron se duhet të bësh një vepër siç është dhikri. Ti mund ta kryesh veprën, mirëpo e bën këtë i shkujdesur. Ti mund të falësh namaz dhe të mos mund të thuhet se nuk je falur, mirëpo sa përfiton nga ai namaz? Apo të bësh dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, ku 70% apo 90% nuk e di çfarë po thuhet. Pra, në këtë Ramazan kije si motiv ta luftosh gafletin. Mundohu që së paku një muaj të mos tregohesh i shkujdesur.
Rrjedhimisht, kur mposhtet shkujdesja, vjen kualiteti, meqë këto dyja e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në momentin kur ndien se po të rrezikohet kualiteti nga shkujdesja, kujtoje motivin për të mos qenë i shkujdesur më. Ky përkujtim e garanton automatikisht zhvillimin e kualitetit. Për një ndikim më të madh, shkruaje motivin dhe shikoje çdo mëngjes. Është më ndryshe, kur ta shohësh të shkruar motivin që të shtyn të veprosh. Këtu nuk po mendoj në të shkruarit e nijetit sheriatik, meqë ky nijet nënkuptohet nga zgjimi yt për syfyr. Nijeti për kryerjen e një adhurimi nuk ka nevojë të shkruhet apo të thuhet. Por, këtu bëhet fjalë për motivin për adhurim, i cili bën të shkruhet.

Te Selefët gaflet/shkujdesja ishte si e një shtrese pluhuri, që është larguar me një të fryrë. Te ne gafleti është shtresëtrashë dhe lypet goxha punë e madhe për ta larguar atë. Dikush ka nevojë vetëm për një përkujtim, dikush ka nevojë që ta ketë të shkruar dhe për tridhjetë ditë t’ia lexojë vetes së tij. Krejt kjo thamë së është për të garantuar kualitet, jo për të garantuar bërjen e veprës, ngase veprat pritet të bëhen patjetër, in sha Allah.
Mundohu që adhurimet të cilat i ke bërë vitin e kaluar t’i bësh edhe këtë vit, veçse pa gaflet. Unë nuk e di kush sa ka bërë vitin e kaluar, por shpresoj se në aspektin sasior qëndrojmë mirë. Pra, mundohu që të gjitha ato t’i bësh pa gaflet, duke u bërë më i vëmendshëm ndaj kuptimeve, duke inkuadruar edhe zemrën në ato adhurime.
Le të jetë motoja e Ramazanit tënd: adhurim pa gaflet, adhurim me më shumë vëmendje, adhurim me një përkushtim më të madh. Bëji vetes pyetje për secilin adhurim që e bën në Ramazan se si po e bën: me gaflet, apo pa gaflet. Ky dhe motivet e tjera, siç thamë më lart, janë motorët e besimtarit, të cilët e garantojnë kualitetin deri në fund, në qoftë se janë të pranishëm dhe të fuqishëm që në fillim.

Motivi i katërt
Motivi që është mirë të kihet është motivi për të kompensuar humbjet e së kaluarës. Nëse ke humbur në të kaluarën nga koha, aktiviteti, sasia, atëherë kompensoji në këtë Ramazan. Ka një rregull të cilin e kanë përmendur dijetarët dhe i cili është nxjerrë nga argumentet e Sheriatit, të cilin e shprehu dhe Fudejl Ibn Ijadi, ku thuhet: “Përmirësoje atë që të ka mbetur, të falet ajo që ka kaluar”.
Pra, kualiteti i këtij Ramazani mund të ta garantojë faljen nga Allahu të mungesës së kualiteti në të kaluarën. Kije si motiv ta përmirësosh kualitetin e Ramazanave të kaluar me kualitetin e këtij Ramazani. Ndoshta, krejt çfarë na ka mbetur mua dhe ty, vëlla i dashur, është vetëm edhe ky Ramazan. Ndoshta, ky është Ramazani i fundit që të përmirësosh të kaluarën. Prandaj, le të jetë aktiv ky motiv te ne, meqë nuk është me vend të vajtojmë atë që ka shkuar e t’u hapim derën vesveseve e të humbasim kurajën, pasi Allahu po na e mundëson arritjen edhe të këtij Ramazani. Domethënë, arritja e këtij Ramazani duhet të na stimulojë, por kësaj radhe më ndryshe. Këtë herë syno kualitetin dhe shpreso që, me motivin për kualitet në këtë Ramazan, të të plotësohet mungesa e kualitetit të Ramazanave të kaluar. Kjo vërtet është e mundshme sheriatikisht, meqë ka ndodhur që njerëzit, me një fjalë kualitative, ta pastrojnë tërë bërllokun të cilin e kanë mbledhur gjatë jetës së tyre. Sigurisht keni dëgjuar për rastin e personit i cili u vra në betejën e Uhudit. Ai erdhi për të luftuar kundër pejgamberit , por e tha shehadetin dhe u kthye për t’i luftuar mushkrikët.
Enes Ibn Malik tha se nuk di për ndonjë njeri të jetë futur në Xhenet pa falur namaz dhe pa bërë ndonjë punë tjetër, përveç këtij. Dhe a ka vepër më të ndyrë sesa të jesh kundërshtar i pejgamberit ! Por, tërë këtë periudhë të zymtë, të nxirë, të jetës së tij ai e zbardhi me një qëndrim të duhur, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Pra, ky është ai motivi për të cilin po flasim: motivi për të qenë ndryshe, për të kompensuar të kaluarën.
Kur njeriu të ndryshojë më një fjalë, çfarë ta merr mendja se mund të bëhet me një Ramazan? Një Ramazan është i mjaftueshëm për ta bërë më të mirë edhe të kaluarën, edhe të ardhmen e jetës. Kështu qenë edhe Selefët. Ata nuk ankoheshin, kur mund të vepronin. Në dritën e kësaj, Katade tha se në të kaluarën kishte shtirje për veprat që bëheshin, kurse sot ka shtirje, edhe pse mungojnë veprat.
Pra, më herët njerëzit kishin probleme me shtirjen që mund t’u shfaqej për shkak të veprave të mira që bënin, kurse sot mund të shohësh njerëz të lavdërohen, edhe pse nuk bëjnë gjë. Dhe shtirja pa vepra është kombinimi më i keq i mundshëm.
Në qoftë se kualiteti i këtij Ramazani ngrihet dhe pranohet nga Allahu dhe ti vdes, tek Allahu do të gjykohesh sipas veprës së fundit që ke bërë. Kjo është një mirësi e pamasë e Allahut ndaj besimtarëve. Domethënë,nga mirësia e Allahut është se, në qoftë se besimtari përpiqet për kualitet, Allahu e gjykon atë në bazë të veprës së fundit që ai e bën në këtë udhëtim. Mund të kenë kaluar njëzet Ramazana me kualitet të diskutueshëm, madje edhe pa kualitet fare, dhe ky Ramazan mund të jetë i fundit dhe vendimtar për tërë Ramazanat e kaluar. Pra, ti vendos se a dëshiron t’i kesh edhe njëzet Ramazana të tjerë kualitativ sikurse ky, apo të rëndohesh edhe me një tjetër Ramazan jokualitativ krahas njëzet të tjerëve.
Edhe pse këtu ka ende për t‘u thënë, mendoj se pikat që i përmendëm deri më tani janë të domosdoshme dhe vendimtare për të arritur me lejen e Allahut pozitën e dëshiruar gjatë Ramazanit dhe pas tij. Me këto motive, me lejen e Allahut, besoj se do të jemi në rrugën e duhur drejt një Ramazani më kualitativ.
Shumë gjëra e ndodhi mund të mos na kujtohen. Ne, madje, mund të harrojmë si jemi falur para pesë apo gjashtë muajsh, kështu që një formular apo fletanketë që do të na i rikujtonte stacionet e vitit të kaluar mund të jetë mjaftë i rëndësishëm në këtë rast. Kështu, pas një konsultimi me përvojat e dijetarëve dhe shkrimet e tyre, kam përpiluar një përmbledhje pyetje-përgjigjesh, e cila shpresoj se do të pasqyrojë gjendjen tonë sa më realisht, me qellim qe te përcaktojmë drejtimin e rregullimit tonë. Bëhet fjalë për formularin me 15 pyetje në vijim:

Fletanketa

VËREJTJE:
Të lusim që nga pyetjet në vijim të zgjedhësh përgjigjen që përshkruan saktë ose më së
afërti gjendjen tënde.

1. Si i ke qëndruar llogaritjes së vetvetes vitin qe kaloi? (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) E kam bërë shpesh (çdo dite, çdo javë)
b) E kam bërë në rast fatkeqësie
c) E kam bërë rrallëherë (një apo dy herë gjatë vitit)

2. Si e vlerëson rezistencën tënde ndaj kërkesave të epshit? (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Të qëndrueshme
b) Nganjëherë kam bërë lëshime
c) Shpesh kam bërë lëshime

3. Cilat kanë qenë prioritetet tua vitin që po e lë pas? (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) U kam dhënë përparësi çështjeve të Ahiretit ndaj çështjeve të kësaj bote
b) U kam dhënë përparësi çështjeve të kësaj bote ndaj çështjeve të Ahiretit
c) Kam qenë i preokupuar me gjendjet e të tjerëve
(vlerësimin e tyre, të folurit për gabimet e tyre, etj).

4. Per çfarë ndien keqardhje më së shumti? (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Për kohën e pashfrytëzuar në fitim të shpërblimit (adhurime dhe bamirësi)
b) Për shanset e humbura në biznes apo fitim material
c) Për mosbërje të vizitave

5. Si e vlerëson sjelljen dhe moralin tënd për dallim nga viti i kaluar?
(rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Ka ndryshuar në të mirë
b) Nuk vërej ndonjë ndryshim
c) Gjendjen e kam më keq se vitin e kaluar (jam më arrogant, me i ngutshëm,
me paragjykues, etj)

6. Si të ka kaluar viti që shkoi … : (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Sipas planifikimit dhe organizimit që ke bërë
b) Spontanisht, sipas rrethanave dhe situatës

7. Si e vlerëson përpjekjen tënde për të mbajtur nën kontroll gjymtyrët në vijim? (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
– Gjuhën:
Të suksesshme
Të dështuar
– Shikimin:
Të suksesshme
Të dështuar
– Dëgjimin:
Të suksesshme
Të dështuar

8.Si e vlerëson përmbushjen tënde të detyrave ndaj:
– Prindërve:
Përmirësim
Përkeqësim
– Bashkëshortes/bashkëshortit:
Përmirësim
Përkeqësim
– Fëmijëve:
Përmirësim
Përkeqësim
– Punës me të cilën je i ngarkuar:
Përmirësim
Përkeqësim
– Farefisit:
Përmirësim
Përkeqësim

9.Si është gjendja e dhembshurisë sate ndaj pësimeve të ummetit (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Në rritje
b) E zakonshme
c) Nuk jam preokupuar me këtë çështje

10. Adhurimet tua janë shtuar në: (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Sasi dhe kualitet
b) Sasi
c) Kualitet
d) S’ka pasur kurrfarë shtimi

11. Si është qëndrimi yt sa i përket vdekjes dhe daljes para Allahut: (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Bëj përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e vetvetes
b) Do të dëshiroja që jeta të më përfundonte kur isha në gjendje devotshmërie më të mirë.
c) Nuk bëj ndonjë përgatitje të veçantë.

12. Ku qëndroni me përgatitjet për Ramazanin e radhës: (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Kam filluar më herët se vitin e kaluar
b) Kam filluar më vonë se vitin e kaluar
c) Nuk kam filluar ende

13. Në këtë Ramazan do t’i kushtosh më tepër rëndësi: (rrumbullako vetëm njërën përgjigje):
a) Kualitetit të adhurimeve
b) Sasisë së adhurimeve
c) Nuk jam përcaktuar ende

14. A ke vepra të caktuara për të cilat mendon të pendohesh në këtë Ramazan?
a) Mendoj të pendohem për cilësinë e dobët të adhurimeve
b) Mendoj të pendohem për ndonjë vepër të ndaluar
c) Mendoj të kërkoj falje të përgjithshme

15. Përmendi tri arsye për të cilat mendon se këtë Ramazan do ta kalosh më mirë se
Ramazaneve të kaluar
1.
________________________________________________________________________________
2.
________________________________________________________________________________
3.
________________________________________________________________________________

Pregatiti: Enis Rama
www.qsi-ks.com